Presidenti i vendit Ilir Meta ka folur nga qyteti i Elbasanit për bërjen më në fund funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e cila që prej paradites së sotme ka 6 anëtarë me betimin e Përparim Kalos.
Meta tha se Gjykata Kushtetuese është institucioni më i rëndësishëm për zbatimin e ligjit në vend, dhe roli i saj në vijim pritet që të jetë jetik për vendime të rëndësishme që pritet të merren.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend, ku sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një gjykatë plotësisht funksionale.
Për Presidentin funksioni i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore dhe unë uroj e shpresoj që të gjithë, pavarësisht anëtarët e kësaj gjykate ata që janë bërë pjesë e saj dhe ata që do të bëhen pjesë, të kenë përgjegjshmëri maksimale për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, të drejtat e shtetit tonë, për të mbrojtur demokracinë.
Unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe gjithë institucioneve të tjera. Gjykata Kushtetuese mund dhe duhet të ruajë një rol edhe më të madh në të ardhmen”, u shpreh Meta gjatë djalës së tij.
Sa i takon periudhës kur Gjykata mbeti pezull, Presidenti tha se nuk ka pasur asnjë tërheqje nga ana e tij, dhe se ka vepruar sa më shpejt mundej, sa herë që është dashur që të miratonte emra të caktuar. Meta tha se një meritë për ndërtimin në një kohë të shpejtë të GJK-së, e ka edhe Bundestagu, që ia vendosi qeverisë si një nga kushtet për të vazhduar më parë çeljen e negociatave.