Shtetasi Ded Preka pretendon se një rrjet i organizuar i tjetërsimit të pronave, prej vitesh po e përball me gjyqe. Preka denoncon ish-kreun e Entit të Banesave në Shkodër se i ka kërkuar 50 milionë lekë për të privatizuar një ambient që ndodhet në katin e parë të pallatit ku jeton dhe se në kat të parë ndodhen dyqane.
Pasi Preka thotë se refuzoi t’ia jepte paratë, bashkë me gjyqtaren, që kishte vendosur kohë më parë në favor të tij, u kthyen kundër duke ia kaluar pronën pa ankand një tjetër personi.
Por nuk përfundon me kaq. Pavarësisht se prej 20 vitesh e ka në përdorim prej rreth 70 m2, një i tretë kërkon pronësinë, por prona vijon të qarkullojë në ajër, përfshirë edhe zyrtarë apo ish-zyrtarë pavarësisht se çelsat e saj i ka Ded Preka. Preka ndodhet në gjyqe prej 8 vitesh, teksa pretendon se zyrtarë të Entit të Banesave, gjyqtarë e prokurorë kanë krijuar një grup të organizuar të tjetërsimit të pronave.
“Kjo gjë ka ndodhur që në vitin 1996 dhe gjatë kësaj kohe kati i parë ka qene i lënë për dyqane dhe shtëpia në kat të dyte. Kur jam interesuar dhe e kam blerë në fillim mora vetëm grilat pastaj me kalimin e viteve kam paguar absolutisht cdo gjë. Prona ka kaluar në disa duar por celësat i kam unë sepse atehere kur nuk i dhashe 50 milionshin ata ju kthyen gjithe kësaj pune dhe në 2012 bëra kërkesë për të privatizu banesën”– u shpreh Preka.
Ded Preka thotë se do të mbetet rrugëve nëse nuk reagon shteti. Fax News mëson se Drejtoria Rajonale e Entit të Banesave në Shkodër është kallëzuar për të njëjtën skemë nga dhjetëra qytetarë.