Seanca që po mbahet në ambientet e Gjykatës së Tiranës për tre të burgosurit që tentuan arratisjen nga ambientet e 313.
Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele shihen të relaksuar brenda kafazit të qelqtë, ndërkohë që nuk ndalojnë të qeshurën dhe batutat me njëri tjetrin. Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se 3 personat do të akuzohen për dy vepra të reja penale “Tentativë arratisje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.
Siç shihet dhe nga pamjet, Lulzim Çepele ka të fashuar dorën e tij, pasi preu damarët në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e gardianëve, që dy shokët e tij të mund të arratiseshin nga zona e ajrimit.
Gjatë tentativës për t’u larguar, Pjetri ka qëlluar me sende të forta dhe një prej gardianëve të burgut, i cili bëri të mundur dhe dështimin e arratisjes së tyre.
Burimet thonë se Pjetri dhe e ka kërcënuar gardianin e burgut duke i thënë se do t’ia mbante mend fytyrën, dhe duhet të kishte kujdes për familjen e tij.
Nga ana tjetër Çekaj, një prej personave më të kërkuar për disa vite nga drejtësia shqiptare, i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ka qenë i përfshirë në trafikun e sasisë rekord prej 613 kilogramë kokainë, që u kap në mesin e bananeve në Durrës.
Ai u konsiderua si peshk i madh nga ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu.
Çekaj është dënuar me 14 vite burg me vendim të formës së prerë, ndërsa Pjetri është dënuar me 30 vite burg, si autor i disa grabitjeve me dhunë të ndodhura në Tiranë, pjesë e bandës së famshme të babagjyshëve.
Çepele nga ana e tij është dënuar për akuzën e prostitucionit, dhe ka qenë dhe subjekt i OFL-së për sekuestrimin e pasurive të tij.