Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Otima”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Gazetarja Dorjana Bezat raporton per BalkanWeb se u arestuan ne flagrance shtetasit: Ferdinant Llanaj, 43 vjeç, banues në Selenicë me pseudonimin “Robi”, Dritan Begaj, 54 vjeç, banues në Vlorë dhe Ergi Cura, 21 vjeç, banues në Librazhd.
Gjate kontrollit ne territorin e baneses dhe perrreth territorit te baneses se Ferdinant Llanaj u gjeten rreth 600 bime kanabis sativa te kultivuara dhe nje sasi e vogel ne forme boçesh.
Njoftimi i Policisë:
Selenicë, Vlorë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Otima”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre me precedent të mëparshëm kriminal. Ferdinand Llanaj i njohur si Robi i Selenicës. Me një sërë ngjarjesh kriminale të përfshira më herët. I akuzuar si i dyshuar për atentatet e familjes Xhaferraj dhe objektiv i atentatit të ndodhur në rrugën Transballkanike. Ku Llanaj u qëllua me breshëri automatiku.
Vëllai i Aleksandër Llanaj, autori i masakrës së Çoles.
Sekuestrohen 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular, një shumë parash dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Në vijim të kontrolleve të pandërprera në të gjithë qarkun Vlorë, si dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në zonën e Otimës në Selenicë, persona me precedent kriminal kishin kultivuar bimë narkotike, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u finalizua operacioni policor i koduar “Otima”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
F. Ll., 43 vjeç, banues në Selenicë (me precedent të mëparshëm kriminal), D. B., 54 vjeç, banues në Vlorë dhe E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh cannabis sativa në ambientet e banesës së shtetasit F. Ll. dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të këtij shtetasi, në vendin e quajtur “Përroi i Otimës”, Selenicë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.