Këngëtari i njohur Sherif Merdani ndërroi jetë dje në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ish i burgosur politik pasi kaloi 16 vite në burgjet e regjimit komunist, Merdani la gjurmë në historinë e muzikës shqiptare. Siç njofton djali i tij, Gerard Merdani, homazhet zhvillohen sot nga ora 12:00 deri në 14:00 në një hotel pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, në kryeqytet.
Me dhimbje të madhe dhe hidhërim të thellë, njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim të shtrenjtë, Sherif Merdani. Njoftojmë familjarë, të afërm, miq dhe dashamirës, se homazhet kryhen ditën e nesërme, datë 30.08.2021, tek “Internacional Event House 1921”, rruga Kajo Karafili, pranë “Lidhjes së Shkrimtarëve” nga ora 12:00 deri në orën 14:00, nga ku do të nisemi drejt Varrezave të Tufinës.
Gazetarja e Fax News Ana Haxhimali e ndodhur në vendngjarje tregon se aktualisht ne kryerjen e homazheve janë të aferm dhe familjarë të artistit dhe pritet qe homazhet te zgjasin dy orë.
Dy kantautorët më të suksesshëm shqiptarë Luan Zhegu dhe Kozma Dushi u shprehën në një prononcim për Fax News se Merdani kishte një zë të bukur dhe kurrsesi nuk i meritonte gjithe ato vite burg ne periudhen e komunizmit.
Luan Zhegu:“Përshtypjet për Sherif Merdanin kanë qenë me emocion. Sapo doli nga burgu takimin e parë e kemi pasur bashkë. Unë nuk e njoha, sepse ishte me një kapele. Por duke e parë te sytë dhe zëri i thashë Sherifi? Po më tha. U përqafuam dhe lotuam të dy. Emocioni tjetër ka qenë kur unë i kompozova këngën, “Se kënduan Let it Be” kënga pati jehonë të madhe.
Sherifi kur e këndonte lotonte. Ajo ishte tamam jeta e Sherifit. Nuk e di, nuk e besoj akoma që Sherifi nuk është këtu. Ai ka ndërruar banesë. Ai ka shkuar në vend tjetër, e prapë do të ndriçojë dhe do të jetë dritën e tij, një yll i pashuar në muzikën shqiptare, i tillë do të mbetet. Gjej rastin të ngushëlloj gruan, djalin, të afërmit dhe farefisin e tij”
“Sherifi bëri për vete rininë me këngët e tij të bukura. Takoheshim shpesh, se ishim në një lagje. Dy muajt e fundit s’e kam parë. Ai ishte intelektual, artist. Kishte zë të ëmbël, brilant dhe ishte i dashur me shokët. I lutem Zotit të prehet në paqe. Do ta kem në zemër për gjithë jetën. Unë me Sherifin kam biseduar shpesh. Festivali i 11, por dhe të gjitha kur ka marrë pjesë ai ishin këngë perla. Sherifi në vitet që erdhi demokracia filluan festivale që këndohej play back.
Ai nuk i dëshironte këto, e gjithmonë bënte kritika për këngët. Sherifi i donte këngët me ritëm, me poezi. Ajo kohë ka bërë një super gabim të madh. Ai vetëm këndonte, shpirtin kishte. Edhe në Librazhd ku e takova unë, i dha atmosferë atij qyteti. Të gjithë e donin. Ajo që ka ndodhur me Sherif Merdanin s’duhet të ndodhte kurrë. Ai nuk e meritonte. Brezi i tij këndon akoma. Mesazhi i tij është që këngët janë të bukura, artistët janë të lirë, muzika të bëhej live, muzika të mos bëhej rrëmujë. Ai nuk i donte tallavatë e këto të tjerat. Sherif Merdani solli një mënyrë të re të të kënduarit”, tha Kozma Dushi.
Për ndarjen e tij nga jeta ditën e djeshme kanë reaguar edhe krerët më të lartë të shtetit.
Sherif Merdani do të mbahet mend për një sërë interpretimesh në festivalet e muzikës së lehtë në vitet ‘70 e në ato ’90.
“Mes jush”
“Të pres në tetor”
“A do vish sivjet në plazh”
“Vite pa harrim”
“Në mbrëmjen e vallëzimit (Ne të dy)”
“Vajza e qelqtë”
“Rruga e Dibrës”
“Duart e tua”
“Simfonia e nënës”