Mëngjesin e sotëm Policia e Korçës ka vënë në pranga shtetasin Nikolin Ciko me detyrë infermier në Urgjencën e Spitalit pasi kishte vjedhur sasi të mëdha të ilaçeve të Covid-19 dhe të sëmundjeve tumorale.
Vlera e medikamenteve të sekuestruara nga Policia shkon deri në 1.000.000 lekë dhe nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e spitalit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.
Njoftimi i Policisë:
Korçë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Farmacia”.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Korçë, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes.
Dokumentohen dy vjedhjet e ndodhura në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, vihet në pranga një infermier.
Sekuestrohet një sasi medikamentesh të ndryshme, me vlerë të konsiderueshme.
Korçë, u arrestua shtetasi Nikolin Ciko, me detyrë infermier në Urgjencën e Spitalit Korçë, për veprën “Vjedhja” me pasoja të rënda.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë).
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se, ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.