Drejtori i CRCA Altin Hazizaj në një intervistë në Fax News ka folur për largimin masiv të të rinjve nga vendi, për të cilën kjo organizatë ka ndërtuar dhe një raport, ku konkludohet se 60 mijë fëmijë janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit. Hazizaj është shprehur i kënaqur dhe me reagimin e presidentit, i cili ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për largimin e 60 mijë fëmijëve.
‘82% e këtyre fëmijëve janë nën moshën 14 vjeç, nuk janë në moshën e adoleshencës, janë fëmijë që do të thotë se nuk kanë zotësinë për të vepruar, që fare mirë mund të përdoren për të kryer krime të ndryshme. Ne i kemi bërë kërkesë Kuvendit, dhe do të ishte në nderin e tyre të ngrejnë një komision hetimor, për atë që ndodh në lidhje me fëmijët në Shqipëri”, tha Hazizaj.
“Shteti shqiptar e ka për detyrë që të japë llogari për çdo fëmijë, çdo institucion në Shqipëri e ka për detyrë të tregojë se ku janë këta fëmijë. Vetëm disa vite më parë ne kemi qenë të skandalizuar që vetëm në një jetimore në Greqi kishte 104 fëmijë shqiptarë, si mund të mos skandalizohemi me 60 mijë fëmijë të tjerë.
Shqipëria është një vend i vogël dhe përgjegjësitë që të zgjedhurit kanë për fëmijët duhet të jenë të mëdha, si ka mundësi që në 10 vite askush nuk mban përgjegjësi në nivelin politik. Ku janë këta fëmijë, çfarë ndodh me ata sot, janë fëmije që jetojnë në azile, apo janë detyruar që të kryejnë krime”.
Ndërkohë që sa i takon vendimit të Edi Ramës për të krijuar një ministri për fëmijët dhe rininë, Hazizaj tha se Bora Muzhaqi do të jetë një deputete pa portofol.
“Në fakt unë mendoj se veprimi i fundit i kryeministrit duhet lavdëruar, sa i takon krijimit të kësaj ministrie. Nuk bëhet fjalë për një ministri të mirëfilltë, përgjithësisht ministritë e shtetit kanë një funksion të kufizuar. Me zonjën Muzhaqi jemi takuar disa herë dhe unë mendoj se formimi i saj i lejon të bëjë punë të mira, ne jemi të gatshëm që eksperiencën tonë 25 vjeçare ta ndajmë me ministrinë që është krijuar”, tha më tej Hazizaj.
https://www.facebook.com/watch/faxnews.tv/