Kohët e fundit është folur në media për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e Vjosës . Këtë gjë e ka mohuar Edi Rama, duke u shprehur se për sa kohë do të jetë Partia Socialiste në pushtet nuk ka një ndërhyrje të tillë në Vjosë.
I pyetur në emisionin “Noë” se nga kush rrezikon Vjosa, kryeministri u përgjigj që “nuk e di, por ka gjasa që nga ata që mund të kthehen përsëri”.
“Ne jemi ata që e kemi vënë në mbrojtje Vjosën. Kur kemi thënë se Vjosa duhej mbrojtur aty projektoheshin hidrocentrale”, tha kryeministri Rama.
Përsa i përket qeverisë së mëparshme, kryeminitri Rama u shpreh që është një shembull se si mund të ndodhë që dy ministri të së njëjtës qeveri të kundërshtojnë njëra- tjetrën.
“Një ministri jep një autorizim për të ecur duke parë një interes të sektorit dhe ministria tjetër, e mjedisit, brenda të njëjtës qeveri thotë kjo nuk do të bëhet, pasi në Vjosë nuk do të ndërtohen hidrocentrale”, u shpreh kryeministri Rama, i cili në fund theksoi se në Vjosë nuk do të ndërtohen hidrocentrale për sa kohë që në qeveri është PS.