Home aktualitet Raporti i KE/ DW: Ku ka bërë progres dhe ku ngec ende Shqipëria?

Raporti i KE/ DW: Ku ka bërë progres dhe ku ngec ende Shqipëria?

nga Parler Albania

Në raport-progresin e Komisionit Europian vlerësohet, se Shqipëria e MV i kanë plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE. Por përcaktohen edhe reformat prioritare për të ardhmen.

Komisioni Europian (KE) miratoi të martën, (19.10) Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar reformave themelore dhe udhëzimeve të qarta për reformat prioritare në vijim, theksohet në njoftimin për shtyp të KE.

Josep Borrell, Zv. Presidenti i KE, njëherazi Përfaqësues i lartë i BE për Politikën e Jashtme, citohet të ketë thënë që “përqasja e metodologjisë së re të zgjerimit është në bazë meritash me fokus në reformat themelore të tilla si sundimi i ligjit, ekonomia, funksionimi i institucioneve demokratike dhe lënia mënjanë e dallimeve mes vendeve kandidate për anëtarësim.”Borell ka kërkuar që BE të mbajë “një process të besueshëm zgjerimi”.

Ndikim negativ për besueshmërinë e BE

Raporti, i cili përfshin periudhën një vjeçare qershor 2020-qershor 2021, konstaton se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut (MV) po vazhdojnë të plotësojnë kushtet për hapjen e negociatave të hyrjes në BE dhe të dyja vendet po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformave të BE.”

Vonesat në hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe MV kanë një ndikim negativ në besueshmërinë e BE. Çështjet dypalëshe të mbetura pezull midis Bullgarisë dhe MV duhet të jenë çështje prioritare. Është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të BE të përfundojnë Kuadrot Negociuese pa vonesë të mëtejshme që konferenca e parë ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahet sa më parë që të jetë e mundur dhe para mbylljes së këtij viti”, thekson raporti.

“Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj ndaj reformave të orientuara të BE dhe ka arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, pavarësisht sfidave për shkak të pandemisë Covid-19”, vë në dukje raporti i KE. Por theksohet, se Shqipëria duhet të punojë më shumë në fusha të tilla si reforma në administratën publike, sistemi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe në garantimin e lirisë së shprehjes. “Brenda periudhës së raportimit Shqipëria nuk ka arritur progres lidhur me lirinë e shprehjes”, vëren raporti.

Në të vihet në dukje që “atmosfera e sulmeve verbale, fushatat e njollosjes dhe aktet e frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Po kështu edhe tensionet mes aktorëve politikë dhe gazetarëve gjatë krizës Covid-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare 2021. Sulmet ndaj gazetarëve nuk kanë rezultuar në dënime.”

Lidhur me paketën ligjore anti-shpifje të qeverisë Rama raporti thekson që parlamenti dhe qeveria që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për mediat të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe të miratohet në konsultim me organizatat e medias”.

Ju mund te pelqeni dhe