Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi projektligjin për transformimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), strukturë e cila heton Policinë e Shtetit.
Ai theksoi se kjo strukturë, tanimë do të quhet Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe do të ketë kompetenca dhe detyra të reja.
“Agjencia ka si objekt parandalimin, zbulimin dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici dhe gardë, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie”, deklaroi ministri.
Nga ana tjetër, deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi që në seancën e radhës të jetë jo vetëm Ministri i Brendshëm, por edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
“Do të doja ministri të jetë edhe në seancën e radhës dhe gjithashtu përveç tij të jetë prezent edhe drejtorit i Përgjithshëm i Policisë sepse ky ligj ka dy aktorë kryesore atë ekzekutive dhe të drejtën i kontrolluari të shprehë brenda parlamentit të gjitha sensibilitetet lidhur me këtë projektligj”, deklaroi Alibeaj.