Home aktualitet Manastirliu: 300 studentë veshin bluzat e bardha

Manastirliu: 300 studentë veshin bluzat e bardha

nga Parler Albania

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi kanë marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Universiteti i Mjekësisë, ku 300 studentë të rinj në mënyrë simbolike kanë veshur bluzat e bardha, duke nisur rrugën e dijes në degën e Mjekësisë.

“Unë jam shumë e lumtur sepse në fakt garancia që sistemi ynë shëndetësor do të jetë në lartësinë e asaj që qytetarët shqiptarë meritojnë, është pikërisht fakti që në Mjekësi vijnë studentët më të mirë. Dhe për këtë unë jam shumë krenare. Bazat e besimit mjek-pacient mbështeten në tre shtylla: Ndershmëria, Dija, Aftësitë Profesionale. Ndër shekuj këto tre shtylla janë respektuar fort nga mjekët. Më besoni që asnjë pikë e zezë e rënë diku aty-këtu, nuk mundet dot që të ngjyrosë detin e madh të dobive të mjeksësisë dhe bluzën tuaj të bardhë. Ndaj është shumë e rëndësishme që bashkë me dijen edhe me aftësitë profesionale, së bashku të udhëhiqeni dhe nga ndershmëria që e karakterizon këtë profesion”, tha Manastirliu në fjalën përshëndetëse.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se angazhimi për Paktin për Universitetin është jetësuar dhe do të vijojë më tej, me projekte të reja në dobi të cilësisë së mësimdhënies.

“Unë jam e kënaqur që nëpërmjet Paktit për Universitetin, ne sot kemi projekte për të çuar përpara. Së bashku me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë ne jemi duke lobuar tashmë për të ndërtuar për herë të parë brenda korpusit të Qendrës Spitalore Universitare, një qendër të bio-simulimit klinik, e cila do të jetë një qendër që do të mbështesë jo vetëm kërkimin shkëncor, edukimin tuaj, por gjithashtu do të rrisë akoma më shumë bashkëpunimin edhe me qendrat simotra të vendeve europiane”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë theksoi se sot mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët e shëndetit punësohen me transparencë dhe meritë përmes portalit “Mjëkë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

“Portali ‘Mjekë për Shqipërinë’, ‘Infermierë për Shqipërinë’ sot garantojnë meritokraci dhe transparencë për punësimin tuaj. Vetëm nëpërmjet këtyre platformave, këtyre instrumentave kaq me vlerë sot në dorën tuaj, ne kemi bërë të mundur që në katër vite, 1200 mjekë dhe 3800 infermierë të jenë të punësuar me meritokraci dhe transparencë”, tha Manastirliu.

Ju mund te pelqeni dhe