Ditën e sotme, ambasadori I Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca I ka dorëzuar zyrtarisht kryeministrit Edi Rama, Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë një deklarate për mediat, Soreca tha se “Raporti bazohet tek metodologjia e re, është një vlerësim i drejtë i situatës në shqipëri në lidhje me rrugëtimin e saj drejt BE, janë dhënë merita dhe janë theksuar fushat ku progresi ka qënë i pamjaftueshëm dhe kërkohet më shumë vëmendje.”.
Më tej, Soreca theksoi se raporti konfirmon se “Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, para mbarimit të vitit. Shtyrjet apo vonesat do të kenë një ndikim negativ për besueshmërinë e BE.”
Soreca shtoi, se Shqipëria ka bërë përparim sa i takon sundimit të ligjit, duke theksuar në veçanti Reformën në Drejtësi dhe Vettingun.
“Sa i takon sundimit te ligjit. Shqipëria ka bërë përparim në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”-deklaroi ambasadori i BE.
Por, gjithashtu Soreca i dha një “shuplakë” të fortë politikës, ndërsa apeloi që të ndalet baltosja ndaj mediave.
“Por, reformat duhet të vijojnë.
Sa i takon lirisë së shprehjes, atmosfera e sulmeve verbale dhe fushata e baltosjes kundër gazetarëve nuk duhet të vijojnë. Duhet bërë më shumë për fuqizimin e pavarësisë dhe standardeve të mediave.
Ligji për median duhet të jetë në përputhje me Komisionin e Venecias”-tha Soreca.