Home Reportazh Antigonea, një perlë historike e Shqipërisë

Antigonea, një perlë historike e Shqipërisë

nga Parler Albania

Nga: Albina Roshi

Shqipëria mbart në vetvete perla të fshehura nëpër histori.

Mjafton, të kesh guximin për t’u futur  në membranën e shekujve.

Me të nisur rrugëtimin e njohjes së monumenteve kulturore do të zbulosh që edhe rrënjojat e gurëve të lashtë do të dëshmojnë shumëcka nga paraardhësit.

Shpesh, përballemi me të dhëna historike që na kthejnë pas në kohë. Në gjurmë të kohës së humbur, mund të zbulojmë shumë të pathëna. E tillë është edhe Antigonea.

Një nga qytetet më të lashta, të ndërtuar në shekullin e III p. e. s është Antigonea.

Rrënojat e këtij qyteti antik ndodhen në Shqipëri, 14 kilometra nga qyteti I Gjirokastrës.Një qytet jetëshkurtër që jetoi vetëm 150 vjet. Themelimi I qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit.

Në fillim të shekullit III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea.

Ashtu, si cdo qytet antik fshihet pas një histori . Edhe Antigonea ka një histori.

Sipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që lindi nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja.

Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj, ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror.

Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.

Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë.

Qyteti antik i Antigonesë shtrihej mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinisht të Gjirokastrës. Emri dëshmon se ai duhet të jetë themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 p.e.s, për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.

Pllaja mbi të cilën ishte ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos përballë Gjirokastrës.

 Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 hektarësh në disa zona: në zonën qendrore të banuar, në Agoranë në veri të pllajës, në Akropolin dhe Basileian, të cilat janë të veçuara me mure në pjesën më të lartë të kodrës, dhe në Euhorion, ose zonën e rezervuar për strehimin e popullsisë fshatare në rast luftërash, në anën perëndimore të qytetit.

Rrënojat dëshmojnë për copëza të antikitetit, se ka ekzistuar një qytetërim.

Një pjesë e murit rrethues të qytetit ka mbërritur deri më sot dhe të krijon më së miri idenë e fortifikimit të madh që ka patur qyteti.

Rrënojat e Nimfeut, si dhe kolonat, shëtitorja, banesa me peristil apo objektet e tjera publike përcjellin më së miri atmosferën e Antikitetit.

Por, parku ofron edhe supriza të tjera si psh : mozaikun paleokristian që krijon urën e takimit me krishterimin dhe etapat e mëvonshme të historisë evropiane.

Pra, shikohet që Antigonnea ka shërbyer edhe si urë lidhëse e fesë së krishterimit.

Pranë Antigonesë gjenden edhe disa kisha të vjetra që mund të vizitohen, si Kisha e Shën Kollit (1680).

Antigonea të ofron një pamje spektakolare.Dielli I vjeshtës I rënë pingul mbi majet e maleve zhbiron me pasqyrim në vrimat e gurëve të Antigonesë .

E tillë është Shqipëria. Plot me mistere, me të vërteta, me histori, me monumente kulturore që duhet t’I bëjnë ballë kohës. Antigonea, vend antic që ia vlen të vizitohet nga vendas dhe të huaj.

Eja në Antigone, prek historinë e gjallë!

Përgatiti: Albina Roshi

Ju mund te pelqeni dhe