Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar mbi situatën me zjarret në vend, ku teksa vlerëson punën e punonjësve të emergjencave civile dhe forcave të ushtrisë, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për shfaqjet e tij dhe udhëtimet me helikopter.
Basha thotë se Rama ia hoqi helikopterin forcave të ushtrisë, të cilëve iu duhet që të luftojnë me zjarrin me mjete rrethanore, për udhëtimet e tij personale. Rama udhëtoi dje me helikopter nga Himara ku ndodhej me pushime, në drejtim të Vermoshit dhe anasjelltas, ndërkohë që në Shqipëri u shënuar dhe viktima e parë nga zjarret.
Postimi i Bashes:
Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij.
Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi.
Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët.
Në një kohë kur asnjë helikopter akoma nuk ishte vënë në punë për shuarjen e flakëve në vendin tonë, Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar për të dytën herë ditën e sotme me helikopter të ushtrisë.
Rama iku nga Himara për në Vermosh me helikopter ditën e sotme për të inaguruar pikën e re kufitare me Malin e Zi dhe është rikthyer sërish në Himarë me helikopter.
Këto udhëtime të kryeministrit ndodhin në një kohë kur vendi ynë është në luftë të fortë me zjarret që kanë ‘mbirë kudo’ dhe që veçanërisht po shqetësojnë jugun e vendit.
Deri më tani asnjë helikopter nuk ishte përdorur për shuarjen e flakëve, te cilat morën dhe jetën e parë ditën e sotme. Viktimë mbeti Andrea Haxhiaj, i cili së bashku me bashkëshorten po përpiqeshin të shuanin flakët në bahçe.
Siç mund të shihet nga videoja e siguruar nga Fax News, shtëpitë e banorëve përreth stadiumit dridhen kur helikopteri ulet në fushën e gjelbër.
Ditën e sotme është regjistruar në vendin tonë viktima e parë nga zjarret. Ai është Andrea Haxhiaj, i cili vdiq teksa luftonte për shuarjen e flakëve së bashku me bashkëshorten e tij. Gruaja e të ndjerit ndodhet në spital pasi ka marrë plagë të shumta nga flakët.