Policia e Vlorës ka zbardhur atentatin që iu bë në derën e shtëpisë në fundin e muajit Maj Edison Begës, në Kaninë të Vlorës.
Për ngjarjen policia në qytetin bregdetar ka shpallur në kërkim Mitri Prifti, 36 vjeç, që sipas tyre është dhe autor i plagosjes së Begës.
I veshur me rroba policie, ai e priti Edison Begën në portën e shtëpisë së tij, dhe e qëlloi sapo zbriti nga makina në sy të fëmijëve të tij të mitur që mbetën të shtangur.
Pak ditë pas plagosjes, edhe vetë 41 vjeçari Bega do të arrestohej nga ana e policisë, pasi u kap me një armë pa leje në zonën e Lungomares, të cilën pretendoi se e mbante për vetëmbrojtje.
Sa i takon atentatit që iu krye në banesë Begës, policia thotë se ka ndodhur për motive banale, siç është bërë e zakonshme të thuhet në ngjarje të tilla.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Zbardhet tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit, e ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë.
Shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E. B.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:
•Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.