Gjykata e Dibrës i dha fund në qershor një maratone seancash gjyqësore me palë kompaninë e kultivimit të peshkut Bio-Trofta në Dibër dhe atë të hidrocentralit “Balkan Green Energy”(BGE), të cilat shfrytëzojnë rrjedhën e lumit Seta për bizneset e tyre.
Pas 54 seancash, afërsisht 37 orësh gjyqi të zhvilluara, Gjykata e Dibrës vendosi në qershor 2021 të rrëzoj padinë e kompanisë Bio Trofta, duke mos gjetur lidhje mes dëmit të shkaktuar ndaj saj dhe kompanisë që menaxhon hidrocentralin rreth 6 mijë metra më sipër në rrjedhën e Setës.
“Në kushtet kur nuk vërtetohet lidhja shkakësore ndërmjet sjelljes së paligjshme e me faj dhe dëmit të shkaktuar, Gjykata çmon se nuk ka vend për të trajtuar kushtet e tjera për lindjen e përgjegjesisë jashtëkontraktore për shpërblimin e dëmit”, thuhet në vendim.
Çështja mes dy kompanive filloi në dhjetor të vitit 2016, por për shkak të mungesës së ekspertëve dhe specifikave të vetë çështjes ajo u zgjat në një maratonë seancash siç gjeti BIRN në dhjetor 2018.
Kompania Bio Trofta pretendonte një dëm 300 mijë euro nga kompania BGE, duke pretenduar se punimet pa leje të kësaj të fundit kishin dëmtuar skarpatet e lumit dhe mundësuar erozionin që kishte sjellë shkatërrimin e peshkut.
Ekspertët gjeologë inxhinerë Rremzi Pupli dhe Ilmi Gjeta në aktet e ekspertizës dolën në përfundimin se kompania e HEC ishte përgjegjëse për dëmin, pasi kishte bërë punime pa studime dhe nuk kishte rehabilituar pjesën e lumit siç i kërkohej. “Nëse do të kishte studim gjeologjiko inxhinierik, përmbytja dhe dëmtimi i evidentuar i biznesit të shoqërisë BIO TROFTA do të ishte parandaluar”, citohet nga gjykata Gjeta.