Policia e Lezhës ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me operacion që ka zhvilluar në fshtain Manat të Lezhës, ku është zbuluar një sasi prej 32.2 kilogramësh lëndë narkotike të llojit kanabis.
Policia ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim dy djemtë e tij. Droga ishte fshehur në një banesë në përdorim prej tyre.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Manati”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen 32 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 2 djemtë e tij.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme dhe kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për shtetas që posedonin lëndë narkotike, në një banesë në përdorim, ngjitur me banesën e tyre, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Manati”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: V. N., banues në Manati, Lezhë, si dhe u bë shpallja në kërkim e 2 djemve të tij, shtetasve Sh. N. dhe S. N.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se shtetasit e lartpërmendur janë posedues të 32 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike cannabis sativa që u gjetën dhe u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër që ata e kishin në përdorim, ngjitur me banesën e tyre, në fshatin Manati, Lezhë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.