Home aktualitet Jetesa e zonjës Libohova mes dy jetëve

Jetesa e zonjës Libohova mes dy jetëve

nga Parler Albania

Historia lë gjurmë në njerëzim. Jo rrallë herë enigmat vishen me vellon e misterit. Ndonëse, në një kohë disi të largët të reflektosh, të ngjan me një legjendë a gojëdhënë të treguar në kohë dimri nga gjyshërit.

Por, jo.

Është histori e vërtetë, e ndodhur në trojet shqiptare.

Një histori dashurie, gati-gati homerike shndërrohet në simbolin më unik,  që mbart vlera për popullin shqiptar.

Këtë histori për ta kthyer në identitetin e saj, e ka shpalosur me një stil unifikues znj. Aida Shtino në emisionin ‘’Identitet’’, në Fax News.

Me një emocion që të rrëmben në kohë, një zonjë daneze dashurohet me një bejler shqiptar.

Danezja quhej Olga Schweizer, e cila ishte rritur nën tingujt e pianos dhe salloneve mondane.

Me një finesë aristokratike Olga dashurohet me Mufit bej Libohovën.

Ky i fundit, ishte një nga bejlerët e selisë së Ismail bej Vlorës.

Libohova u bë vatra e dashurisë së dy të rinjve. Nga fruti i dashurisë lindi Elmaz Libohova. Në vitin 1927, historia e dashurisë u ndërpre.

Zonja Olga morri shpejt emrin ‘’Zonja e Libohovës’’.

Përse?!

Ishte  fillimi i vitit 1944 një kolonë e vogël prej disa automjetesh ushtarake gjermane  që po vinin  nga Greqia në rrugën midis Kakavijës dhe Libohovës u sulmuan nga zjarri i një grupi të vogël partizanësh, i cili shkaktoi vrasjen e një ushtari gjerman. Mbasi ceta u tërhoq, gjermanët mbërritën menjëherë në Libohovë dhe  arrestuan 100 burra, duke i kërcënuar në rast se nuk tregonin ku ishin fshehur partizanët do të pushkatoheshin që të gjithë. Madame Olga u informua për ngjarjen dhe menjëherë shkoi në vendin, ku ishin vendosur libohovitët për pushkatim.

Menjëherë, iu drejtua oficerit gjerman, duke folur gjermanisht . Ai e mirëpriti me nderim, dhe dikush i tha se ajo ishte bejleresha e Libohovës dhe e shoqja e Mufid Libohovës. Oficeri gjerman i bëri kërkesë të ndërmjetësonte pranë fshatarëve që ti tregonin fajtorët që qëlluan  po të dëshironin të shpëtonin jetën e tyre. Ajo refuzoi dhe i tha komandantit, se nga Libohova nuk kishte asnjë fshatar që ishte partisan apo komunist dhe prandaj gjithë fshati ishte krejt i pafajshëm. Duke pare, se gjermanët kishin ngulur këmbë i lajmëroi, se edhe ajo do të vendosej në mes dhe në krye të 100- burrave të Libohovës për të përballuar pushkatimin po qe se nuk i lironin menjëherë. I tronditur oficeri gjerman merrte në telefon komandën e tij në Gjirokastër,  duke i shpjeguar situatën e ndërlikuar dhe duke evidentuar, se e shoqja e Mufid Bej Libohovës ofronte jetën e saj që të pushkatohej së bashku me 100- burrat e Libohovës.

Atëhere, komandanti si duket për të evituar situatwn dha urdhër që të pezullohej menjëherë pushkatimi i burrave të fshatit.Në shenjë falenderimi dhe mirënjohje ajo i dhuroi oficerit gjerman një sahat xhepi të florinjtë mjaft të vlefshëm. Kësisoj, 100 burra të Libohovës u shpëtuan mbas ndërmjetësisë energjike dhe bujare se bejlereshës së Libohovës  e cila  i shpëtoi nga një vdekje e sigurtë  dhe per kete burra i dhanë emrin Zonja Libohova.

Por, të nesërmen një spiun i fshatit u tregon se në fshat, në një shtëpi janë fshehur partizanët, ku mbahen me bukë e ujë nga familjarët. Të nesërmen, gjermanët ndërhynë e dogjën disa shtëpi.

Ishte kjo ngjarja, që Olga mbeti ikona e dhembshurisë, trimëreshës dhe e fisnikërisë prej një zonje të rritur e kulturuar me dinjitetin për ta mbrojtur jetën e tjetrit si tënden.  Pikëpyetjet që na ngjallin dyshime jo pak, janë se si mundet një e huaj të merr një risk aq të lartë rreziku?

Por, heronjtë janë gjithmonë të heshtur. Heshtja e tyre të vret , teksa jehon ndër vite historia e zonjës se  Libohovës. Shpesh, urdhërat e dala nga fletoret zyrtare të shtetit apo të të huajve ndikuan në fatin e shumë njerëzve intelektualë të kohës. Një nga ata edhe Olga Libohova.

Në kohën e regjimit komunist, jeta e saj morri një kthesë tjetër. Olgën, së bashku me të birin, Elmazin e vendosi në një stallë lopësh, të kryejë punë të rënda fshati.

Në internim e kaluan jetën edhe pasardhësit e Libohovës, që ndodhen në mërgim. Nipi i saj, Kemal Libohova, në emisionin ‘’Identitet’’ u shpreh, -‘’se e ruajnë me plot krenari mbiemrin Libohova. Pas këtij mbiemri, fshihet një histori e madhe e njerëzimit, ku sakrifica, skamja dhe padrejtësitë luajtën rol në të ardhmen e gjyshes së tij, të të atit dhe atij vetë.  Ndërkohë, shprehet me një nostalgji për fotot që ruan me fanatizëm nga gjyshja e gjyshi i tij, por edhe nga i ati. ‘’

Familja Libohova është pjesë e rëndësishme e historisë sonë dhe për këtë duhet të ngrihet në nivelin që i takon. Kështu, brezat e rinj do të mësojnë të vërtetën e historisë, që gëlon ndër shekuj.

Të jetosh mes dy jetëve, dikur – shkëlqimi i aristokracisë mondane dhe dje – një skamje e dërmuar në internim.

Olga Libohova, simbol i sakrificës daneze-shqiptare.

Albina Roshi/ Parler Albania

Ju mund te pelqeni dhe