Gjen zgjidhje problematika e mbetjeve urbane që gjenerohen në territorin e Bashkisë së Durrësit.
Pas pranimit të propozimit për kryerjen e pagesës nga pushteti qendror, sot pushteti lokal kaloi dhe miratoi në Këshillin Bashkiak këtë vendim, duke i hapur rrugë kështu shlyerjes së detyrimeve ndaj kompanisë private për evadimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës.
40,57 €/T do të paguhen nga buxheti i shtetit për mbetjet e Durrësit ose 154 836 400 lekë për periudhën gusht – dhjetor 2021, prej të cilave 114 886 400 lekë i përkasin pagesës së tarifës portë hyrëse në landfill dhe 39 950 000 Lekë për shpenzime të transportit nga kufiri i NJQV në landfill.
Ndërkohë, për vitin e plotë kalendarik 2022 e në vijim, buxheti i shteti do të paguajë 430 043 280 lekë vetëm për evadimin e mbetjeve që gjenerohen në Bashkinë e Durrësit.
Fondet për vitet 2022-2030 do të jenë pjesë e dokumentit të Programit buxhetor afatmesëm dhe buxhetit vjetor të Bashkisë Durrës sipas përcaktimeve të VKM 496, datë 30.07.2021
“Për miratimin e kërkesës së bashkisë Durrës për mbështetje financiare nga qeverisja qendrore për menaxhimin e mbetjeve”, e cila do të negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale.
Njoftimi:
Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ku ka miratuar një vendim të rëndësishëm:
– Për miratimin e përdorimit të fondit të përfituar në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 496, datë 30.07.2021 “Për miratimin e kërkesës së bashkisë Durrës për mbështetje financiare nga qeveria qendrore për menaxhimin e mbetjeve”.