Ambasada ruse në Shqipëri i është përgjigjur thirrjes së Ambasadës amerikane në vendin tonë, e cila i kërkoi Rusisë të lirojë liderin e opozitës ruse, Alexey Navalny.
Ambasada ruse thotë në një postim në Facebook se Navalny nuk është lideri i opozitës ruse, nuk përfaqëson asnjë parti politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë.
Më tej Ambasada e akuzon Navalny se shëtit gjyqeve për të përfituar një rrogë, duke shtuar se një gjykatë në Rusi e ka gjetur Navalny-n fajtor për mashtrim dhe e ka dënuar me 3.5 vite burg.
Ambasada thotë gjithashtu se vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para sё gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi.
Në fund Ambasada nënvizon se është e kotë përpjekja e vendeve perëndimore dhe SHBA-ve për të bërë që të duket sikur Navalny u helmua nga autoritetet ruse.
Një ditë më parë, Ambasada amerikane në Shqipëri bëri thirrje që të lirohet menjëherë lideri i opozitës ruse.