Qeveria e Maqedonisë së Veriut, bëri me dije se ka filluar ndërtimin e një nënstacioni të energjisë 400/110 kilovolt (kV) pranë qytetit të Ohrit, hapi i parë në një projekt të ndërlidhjes së energjisë me Shqipërinë me vlerë 50 milionë euro.
Drejtori i operatorit të sistemit të transmetimit të Maqedonisë së Veriut (MEPSO), Kushtrim Ramadani tha se kompania Koncar Elektroindustrija e Kroacisë, po ndërton nënstacionin e energjisë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në janar të vitit 2020.
Marrëveshja për ndërtimin e nënstacionit të energjisë është 14.3 milionë euro, sipas një deklarate të mëparshme nga kompania Koncar, shkruan See News.
Projekti do të përfshijë gjithashtu ndërtimin e një linje transmetimi 400 kV që lidh qytetin e Manastirit në Maqedoninë se Veriut me Elbasanin në Shqipëri, dhe pritet që të përfundojë në vitin 2023.
I gjithë projekti mbështetet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila po jep një hua prej 37 milionë eurosh, dhe Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), e cila po siguron një grant prej 12 milionë euro, tha Ramadani. Pjesa e mbetur financohet nga MEPSO.
Maqedonia e Veriut ka ndërlidhje në nivelin 400 kV me Greqinë, Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë.