Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci.
Në gjykatën e Apelit në Vlorë, bashkë me Trocin, mbërritën edhe Bardhyl Gjikaj dhe Spiro Duni.
Punonjësit e paraburgimit kanë paraqitur një kërkesë të këtyre tre shtetasve, të cilët nuk u prezantuan në sallën e gjyqit, por ia lanë mbrojtjen e tyre në dorë avokatëve.
Troci u arrestua sepse akuzohet si pjesë e grupit të falsifikimit të dokumenteve të pronave në Himarë dhe Dhërmi dhe njëkohësisht si një nga organizatorët kryesorë të grabitjes së dosjeve të qarkut.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Trocit, policia gjeti edhe një shumë parash prej 65 mijë eurosh.
Historia me falsifikimin e dokumenteve të pronave në Dhërmi e Himarë kishte vijuar prej 3 vitesh, ku të përfshirë janë Klodian Troci, drejtori i administrimit të tokave në Vlorë, Bardhyl Gjika, specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino dhe 51-vjeçari Spiro Duni, banor i Himarës.
Personat kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin nëpërmjet skemave të tjetërsimit të dokumenteve të pronave, duke falsifikuar dokumenteve arkivorë të pronësisë.