Flakët e zjarrit kanë përshirë një masiv pyjor pranë fshatit Cerje, në kufi me Greqinë. Zjarri sipas të dhënave është aktivizuar paraditen e kësaj të hëne.
Sipas të dhënave paraprake deri më tani nga flakët janë përshirë mbi 10 hektarë sipërfaqe, 6 prej të cilave të djegura plotësisht.
Kryetari i bashkisë Pustec Pali Kolefski thotë se puna ka vijuar për gjatë gjithë ditës, ku në aksion ka marrë pjesë forcat zjarrfikëse të Pustecit, Devollit, punonjës të ADZM të cilët po luftojnë me flakët e zjarrit, për izolimin e tyre.
“Sot ka qenë rreth orës 10 ka ndodhur zjarri. Jemi të shqetësuar se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Por të presim. Rreziku është për fshatin por ne do të qëndrojmë deri në fund. Këtu është ambulanca, mjetet zjarrfikëse“, tha ai.
Kolefski thotë se janë marrë masat për evakuimin e banorëve të këtij fshati në rast se zjarri do afrohet pranë fshatit.
Në ndihmë për fikjen e zjarrit kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse greke të cilët krahas ndërhyrjes nga toka, po asistojnë edhe nga ajri me aeroplane dhe helikopterë. Pavarësisht punës intesive situata paraqitet kritike, shkak era e fortë.