Tryeza e rrumbullaket mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, mblodhi së bashku të premten, anëtarët e dy gjykatave më të larta në vend.
“Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor-vija ndarëse mes tyre” ishte tema e diskutimit të aktivitetit, i cili kishte për qëllim të evidentonte vlerat dhe vështirësitë në praktikën e gjykatave më të larta.
Profesionistët e së drejtës, e ndjekin me vëmendje performancën e gjykatave, duke i detyruar këto të fundit të jenë më të përgjegjshme për të reflektuar bashkërisht.
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi shprehu ndër të tjera vullnetin dhe dëshirën për të vijuar me organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat sjellin padyshim rritjen e nivelit të komunikimit institucional në vend.
Gjykata e Lartë vlerëson asistencën e vazhdueshme të Fondacionit Hanns Seidel, në kuadër të rritjes së performancës së institucioneve që garantojnë shtetin e së drejtës.