Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, përmes një lidhjeje të drejtëpërdrejtë me studion e lajmeve të televizionit FaxNews, foli në lidhje me situatën e pandemisë në vendin ku ajo jeton, por dhe në Shqipëri. Mjekja bëri me dije se izolimi në Gjermani funksionon sipas zonave, ku landet që kanë më pak se 50 raste të reja në ditë, janë zona të bardha dhe nuk aplikohen masa kufizuese, ndërkohë që landet me incidencë të lartë infektimesh kanë një ashpërsim të masave izoluese.
Duke qenë se rastet e reja në vendin tonë kapin vlerën e 500 të infektuarve në ditë, mjekja bën apel që masa të ngjashme të aplikohen dhe në Shqipëri dhe kufizimet të mos mbeten vetëm në letër.
“Edhe në Gjermani po aplikohet një “lockdown” fleksibël, pra në ato lande ku kemi një numër me infeksione të reja më pak se 50 raste në ditë, ato quhen zona të bardha dhe gjithçka vijon të jetë e lire, nuk ka maska dhe nuk kufizohet lëvizja e qytetarëve.
Në ato zona ku kemi një rritje të incidencës së infektimeve kemi një ashpërsim “lockdown-it”.
Siç kemi vënë re që javën e fundit në Shqipëri kemi një rritje të rasteve të reja ku shifrat kapin vlerën e 500 rasteve ditore, kjo parashikon që masat shtrënguese të aplikohen dhe jo të mbeten vetëm në letër.
Është e vërtetë që çuditërisht në të gjithë Ballkanin ashtu sikurse edhe në Shqipëri moshat e reja kanë një skepticizëm të lartë ndaj vaksinave, kjo mbase dhe i detyrohet mosbesimit që ka qytetari ndaj sistemit shëndetësor. Gjithmonë ajo frika, çfarë vaksine është kjo, a është e sigurtë, a është brenda afatave të skadencës, e të tjera pyetje si këto. Pyetjet janë shumë të mëdhaja, pjesërisht unë i kuptoj si mjeke por nuk duhet të harrojmë dhe përgjegjësinë sociale dhe qytetare që kemi se vaksinimi na nxjerr nga pandemia. Nëse shohim shifrat e të vaksinuarve në Shqipëri, ku dy doza i kanë marrë 20 % e popullsisë dhe vetëm një dozë 25%, jemi akoma në shifra shumë të ulta ndërkohë që Evropa ka vaksinuar me dy doza 50% të popullatës“, tha mjekja.