Ministria e Arsimit, Evis Kushi ka rikthyer në vëmendje masat anti-covid që shoqërojnë procesin mësimor. Thekson, që në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne.
“Sot zhvillova një takim me drejtuesit e Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar mbi masat e marra për vitin e ri shkollor 2021-2022. Në fokus kryesor të takimit ishte respektimi i protokolleve sipas “Udhëzuesit mbi masat ndaj COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare”, të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne. Puna vijon që çdo gjë të jetë gati më 27 shtator“, shkruan Kushi.
Ndër të tjera, shpreh se:’’Disa nga masat e marra përfshijnë respektimin me rigorizitet të orarit të hyrjes dhe daljes nga shkolla, si dhe rreshtimin në një largësi 1.5 metra nga njëri-tjetri.’’
Komiteti Teknik ka vendosur se kur një nxënës ka simptoma Covid ai duhet të lajmërojë mësuesin kujdestar, i cili në bashkëpunim me mjekun e shkollës apo familjes vërteton nëse është i sëmurë.
Të gjithë nxënësit duhet të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse. Gjithashtu shkollat, sipas mundësive, duhet të ofrojnë dezinfektim për këpucët e fëmijëve para se të futen në institucionet e arsimit.
Nuk lejohet që nxënësit të dalin apo të futen përsëri në godinë. Do të ketë vetëm një herë hyrje në shkollë dhe më pas një herë dalje.