Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishte sot në një inspektim në Fakultetin e Ekonomisë, për të ndjekur procesin e vaksinimit që po kryhet në ambientet universitare.
Ministrja thekson se deri në fillimin e vitit duhet të jenë vaksinuar të gjithë studentët , në mënyrë që mësimi të zhvillohet në auditore normalisht.
Sa i takon sanksioneve për studentët që nuk duan të vaksinohen, Manastirliu tha se ato do të bëhen me dije në ditën e nisjes së vitit të ri akademik.
Pjesë nga deklarata e Manastirliut:
Sipas një plani ne kemi vendosur që të jemi dhe në fakultetete, për të lehtësuar stafet dhe studentët, për ta bërë vaksinën aty ku ata kanë mundësi. Deri më tani në bazë të statistikave, që ndryshojnë dita ditës janë 66% e arsimtarëve që rezultojnë të vaksinuar me dy doza. Studentët do të duhet të vaksinohen deri në fillim të vitit arsimor.
Qeveria shqiptare është e angazhuar për të siguruar vaksinat, kjo është tërësisht mjekësore, ne kemi komitetin e ekspertëve, të imunizimit dhe vaksinimit, të cilët vendosin apo rekomandojnë dozat e treta të vaksinave.
Ne jemi të gatshëm që në momentin që ata të vendosin, të sigurojmë dozat e nevojshme të vaksinës.
Ne kemi vendosur që muaji Shtator të jetë muaji i hapur i vaksinimit, sigurisht që komiteti i ekspertëve e ka cilësuar të detyrueshme vaksinimin për studentët, kjo bëhet me qëllim nderprerjen e infeksionit, dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Vendimi në letër do të dali në momentet kur të fillojë viti i ri akademik, kemi dhënë kohën e mjaftueshme për kryerjen e vaksinimit. Janë komitetet e ekspertëve ato që rekomandojnë, shton Manastirliu.