Presidenti amerikan tani po trajtohet në Qendrën Mjekësore Walter Reed, ku ai ka regjistruar një video duke thënë se ndihet “shumë më mirë” dhe premton të përfundojë fushatën e tijzgjedhore..
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr Sean Conley tha të Shtunën se Donald Trump “ka bërë përparim thelbësor” në një trajtim, duke kërkuar që ekipi i mjekëve të mbetet “optimist me kujdes” për presidentin.
Ai shtoi se Trump nuk ka ethe dhe nuk merr as oksigjen shtesë.
“Ai kaloi pjesën më të madhe të pasdites, duke punuar dhe ishte ngritur dhe lëvizur pa asnjë vështirësi”, tha deklarata.
Të Dielën, mjekët planifikojnë të vazhdojnë të monitorojnë nga afër gjendjen e Trump, ndërsa ai merr doza Remdesivir për të trajtuar COVID-19, tha Dr Sean Conley.
Më herët të Shtunën, Conley tha në një konferencë për media se presidenti ishte “shumë mirë” dhe po i përgjigjej pozitivisht trajtimit.
Në një video 4-minutëshe të regjistruar në qendrën mjekësore Walter Reed në Maryland, presidenti tha se ndihej më mirë dhe do të kthehej së shpejti. Presidenti tha se dy ditët e ardhshme do të ishin “prova e vërtetë”.
Trump u nis për në spital të Premten, pasi njoftoi në Twitter se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivisht për COVID-19.
Njoftimi erdhi pasi ndihmësja e ngushtë e Trump Hope Hicks doli pozitive për virusin. Hicks ka udhëtuar së bashku me presidentin në ngjarjet kryesore kohët e fundit, përfshirë Cleveland, ku zhvilloi debatin e parë presidencial me kandidatin demokrat Joe Biden.