Presidenti amerikan Joe Biden, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen ndaj terroristëve, pas shpërthimeve të ndodhura ditën e djeshme në aeroportin e Kabulit në Afganistan, ku mbetën të vrarë 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe mbetën të plagosur 18 të tjerë.
Nga këto shpërthime, mbetën të vrarë rreth 60 persona dhe u plagosën 140 të tjerë, teksa operacionet për evakuimet e qindra mijëra afganëve nga vendi ende vazhdon, shkruan The Independent.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Biden deklaroi se nuk do t’i falë terroristët në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
“Dijeni këtë; Ne nuk do t’ju falim. Ne nuk do të harrojmë, dhe do t’ju bëjmë të paguani shtrenjtë për këtë që keni bërë”, tha Presidenti amerikan ndër të tjera gjatë fjalës së tij.
ISIS, një grup islamik armik i talebanëve, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse asnjë hetim nuk ka konfirmuar ende se grupi terrorist është përgjegjës.
Deklarata e Biden, vjen në një moment jo shumë të mirë për administratën e tij, pasi një numër i madh republikanësh, përfshirë ish -ambasadoren amerikane në OKB, Nikki Haley, i bënë thirrje 78-vjeçarit që të japë dorëheqjen për shkak të krizës që ende vazhdon.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se shpërthimet nuk kanë ndalur evakuimet, të cilat do të vazhdojnë deri në fund të muajit siç ishte planifikuar.