Home Politikë Nuk u njoftua Fatmir Mediu, shtyhet seanca në apelin e GJKKO-së për rihapjen e hetimit për çështjen “Gërdeci”

Nuk u njoftua Fatmir Mediu, shtyhet seanca në apelin e GJKKO-së për rihapjen e hetimit për çështjen “Gërdeci”

nga Parler Albania

Sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit është shtyrë seanca në ngarkim të Fatmir Mediut për çështjen Gërdeci, pasi i akuzuari nuk ka qenë në dijeni të mbajtjes së saj.

Gjatë ditës së sotme apeli i GJKKO do të merrte në shqyrtim kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimeve, pas rrëzimit të saj në shkallën e parë.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46 të ligjit 98/2016 si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 17.09.2021, ora 10:00, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ishte planifikuar për t`u shqyrtuar në dhomë këshillimi çështja me nr. 212 akti, datë regjistrimi 03.09.2021, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe trashëgimtarëve të viktimës E.D., seancë e cila, sipas nenit 427/a pika 4 të K.Pr.Penale, u shty për të vijuar më datë 24.09.2021, ora 10:00, për shkak se njëra prej palëve, konkretisht z. F.M. nuk ka marrë dijeni rregullisht”, njofton Gjykata.

Kujtojmë se një muaj më parë shkalla e parë rrëzoi SPAK, por vendimi i GJKKO u apelua nga ana e prokurorëve që kishin në dorë çështjen. Në një vendim prej 28 faqe gjyqtari Erjon Çela rrëzoi pretendimet e SPAK që sipas tij nuk ka paraqitur asnjë provë të re dhe ka shigjetur prokurorinë ndër vite që nuk ka kryer hetime ndaj Mediut.

Vetë Mediu, i cili është pjesë e Kuvendit pasi fitoi mandatin në 25 Prill, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen ‘Gërdeci’. Familjarët e 26 viktimave që humbën jetën nga shpërthimi i municioneve kanë kërkuar vazhdimisht hetimin dhe dënimin e tij.

Ju mund te pelqeni dhe