Home opinione Opinion/ Në qytetin famëmadh

Opinion/ Në qytetin famëmadh

nga Parler Albania

Opinion nga Albina Roshi

Njerëzia vrapon. Dikush me hap galop, dikush me hap breshke e dikush pa e prishur terezinë e vet ecën kuturu në qytetin famëmadh.

Qyteti im famëmadh, një kazan hermetik.

Në të gjen mbetje të çdolloj natyre. Po…po mbeturina nga fundi i kazanit, të sipërme ndonjëherë edhe të dala jashtë tij që të ngjiten si një rrodhe moçali. Një kazan hermetik që mban e përmban çdo lloj mbetjeje të produkteve frymore.

Në këtë kazan takon tërë personazhet e Hygoit,të veprës”Të mjerët”. Ka plot e përplot pas asaj fasonerie gjigande, me drita vezulluese të vitit të ri endacakë që flenë në rrugë, me barkun bosh e me erën e një dhjami të përcëlluar në rrugët plot tym. Diku tutje, në trotuaret e famëmadhit dëgjon ca trokitje takash të një zonje të rëndë apo një çapëlitje a rënkim të moshuarish pas asaj që shikojnë. Të tërbuar, të vrazhdë në fytyrë, të ngrysur e dikush i gajasur nga të qeshurat e së dashurës në krahë lëvizin, rropaten me njëri-tjetrin supet e kalimtarëve për të kapur urbanet.

Nëse nuk dini për qytetin famëmadh, më lejoni t’ju tregoj pak më tej. Alegoria dhe qesharakja bëhen bashkë, shkrihen në një të vetme. Të therr në shpirt po ta mendosh thellë. Të rrëmben rutina e qytetit famëmadh,kafene me tym cigareje plot si kapadai i kohëve moderne, që nga një sy i tretë, zakonisht nga këto punonjësit e zyrave, teksa shkojnë në punë me autobuz shohin nga xhami i pluhurosur e thonë me vete:”-Ah kjo jetë, për disa ka qenë! Sa e padrejtë! Unë rri e sorrollatem nëpër urbana .

Arrijmë deri aty sa e quajmë të padrejtë jetën kur lodhemi nga tërë kjo maskë e gënjeshtër që fshihet pas fotove të buzëqeshura në rrjetet sociale. Në fakt, asgjë nuk është siç duket. Një fasadë e gënjeshtërt e botës moderne. Ulim kokën e aty si agjentë FBI-je nisim e gurgullojmë pak thashetheme se ç’foto ka nxjerr filani, me kë është, ç’ka po pi e më ekstremja të shoh njëherë se ç’pozë ka bërë filania në një nga këto tualetet e Tiranës. E akoma, më shumë trashet grotesku i qesharakes anë e mbanë. Po foto, në tualet?! Kapërcejmë edhe pragun e të jetuarit në botën virtuale. Kalojmë disi, te Panairi i Librit. Një ngjarje e përvitshme në qytetin famëmadh. Kurdoherë, edhe në fakultet mezi prisja të kishte festivale shkrimesh, ndonjë organizim libri a teatri. Ndërsa, tani në një prizëm komplet tjetër shoh njerëz që vrapojnë pas librave. Mbetem e habitur e them :”-kaq të lexuar jemi ne”?! Po, po edhe jemi. Vrapojmë te stendat e librave “Albas”,”Toena” etj që të takojmë shkrimtarë, të marrim autografe e të bëjmë ndonjë “selfie” të plasim njerëzinë se jam në botën e artë. Sa keq! Nuk i kushtojmë rëndësi, asgjë prej gjëje. Shkrimtarët në këtë kazanin hermetik janë njerëzit më të ndritur. Krahas, politikanëve a miqve tanë që lahen e lyhen me premtime e me fjalë boshe, ato të mbushin shpirtin, se kanë folur për ato njëmijë vetë që zë nuk nxjerrin.

Çudi, por jo dhe aq! Jemi në kohë moderne e përtej kërcitjes së takave të dëgjuara në trotuaret e qytetit famëmadh, dëgjojmë dhe ndonjë lab a verior që do t’i përshtatet standardizimit të së folurës së qytetit famëmadh. Një larmishmëri dialektesh gjen në çdo hap të tij. Për çudi, sorollatemi tërë ditën e ditës në qytetin famëmadh. Më e bukura, mbetet mbrëmja në tërë këtë udhëtim të gjatë ditor. Kur shkon në shtëpi, pranë familjen kupton esencën e ditës. Një përqafim i mamasë, një përkëdhelje e flokëve nga babai dhe një puthje në ballë nga vëllai e mendon veten se je me fat në tërë këtë hermetizëm. Se fundja, e vërteta dhemb në shpirt. Por, ajo që qëndron është dashuria që na mban gjallë. Koha, sinjal i asaj që na rrëmben momentet më të çmuara. Në këtë qytet famëmadh duhet ta mbash fort me dorën tënde timonin e autobuzit tënd. Se në të kundërt, rrëshqiti e mblodhi ç’të ketë përpara. Andaj, qeshu! Qyteti famëmadh i ka këto. Fama, paraja, uria, barku bosh, zemra plot, sytë mbase dhe do lotojnë, do qeshin e do lëshojnë gaca nga sukseset e tua. Do ulesh poshtë, do ringrihesh, do zvarritesh, do ulërasësh nga padrejtësitë thellë në shpirtin tënd e mbase kurrë zë nuk do nxjerrësh.

Mos të vjen çudi! Ky është qyteti famëmadh, kazani hermetik. E shëmtuara dhe e bukura mbeten një ngjyrim i papërshkrueshëm.

Më beso!

ParlerAlbania