Home Reportazh Përmeti, djepi i kulturës shqiptare

Përmeti, djepi i kulturës shqiptare

nga Parler Albania

Nga: Albina Roshi

Të gjithë kemi nevojë për liri.

Duam të marrim frymë e të ndihemi se jetojmë.

Larg monotonisë, larg zhurmave a borive të qyteteve të mëdha fle i qetë në mes të bukurisë natyrore, Përmeti.

Ky qytet, i njohur si ‘’Qyteti i trëndafilave’’ të ofron gjithcka pa kusht. Përmeti, njihet ndryshe edhe si, ‘’qyteti i njerëzve të qeshur’’. Gjithcka gjen aty, mirësinë, bujarinë, mikpritjen dhe dëshirën për ta vizituar sërish këtë vend.

Përmeti, një qytet i lashtë. U krijua si qendër administrative, në shekullin e XV dhe XVI. Edhe burime nga të dhëna historike turke përmendet si një lokalitet i pasur me tregje , si një zonë e lulëzuar komerciale.

Të dhëna historike otomane e viteve 1431 – 1432 referojnë se qyteti kishte 42 shtëpi ndërkohë në shekullin XVI numëronte 136 shtëpi. Në vitin 1938 Përmeti kishte rreth 3000 banorë dhe 104 fshatra si zona të ndara.

Në mes të maleve, brenda kontureve dhe shpirtit të qytetarisë që gjallon, sa real aq edhe përrallor të ofron vlera unike, si besa, urtësia, cilësi e virtyte që I kanë të përshfaqura ,menjëherë sa takon një përmetar.

Përmetarët, njerëz të butë e me tradita.Mbi të gjitha shumë puntorë, saqë tërë frutat I shndërrojnë në gliko. Aq mbresëlënëse e me një shije të pamatshme janë glikot e Përmetit.

Krahas kësaj, në qytet vërehet një tolerancë fetare. Përmeti ka të njohur kishën e Shën Mërisë në Kosinë dhe atë të Shekullit XVIII të Leusës, si dhe numëron edhe 115 kisha të tjera e 4 xhami.

Përmeti është djepi që ka rritur artistë, shkrimtarë që kanë skalitur me shkrimet e tyre historiografinë e letërsisë shqipe. Personalitete të njohura të kulturës së mbarë Shqipërisë janë tre vëllezërit Frashëri, Sejfulla Malishova, skulptori Odhsie Paskali, artistja e popullit Tefta Tashko Koco.

Duket se nuk kishte ku të lindte tjetër një poet si Naim Frashëri, veçse në një zonë si Përmeti, për të krijuar poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”. – “Do këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni/O vendëthit e bekuar ju mëndjen ma dëfreni”, shkruan Naimi, dhe me këtë ka parasysh përmetarët e mrekullueshëm dhe natyrën e rrallë të vendit, ku kurora e gjelbër zbukuron kryet e qytetit të vogël, ndërsa “Guri i Qytetit” është kthyer në simbol identifikues.

Për Përmetin janë shprehur shumë personalitete të shquara, si : Fan Noli dhe Faik Konica.

Në ato kohëra, shkruante Edit Durham : ‘’Përmeti, me qiparisat e lashtë, dushqet e purpurtë, gjelbërimin pranveror dhe njerëzit e mrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukura të botës’’.

‘’Bukurinë e shpirtit dhe mikpritjen e rrallë të përmetarit e gjen edhe në sentencën sa proverbial, aq edhe popullore.

Më e famshmja thënie për Përmetin, që ia vlen të përmendet është: ‘’ Kush shkoi mik në Përmet dhe s’e pritën porsi mbret’’

Në trojet e tij fatmirësisht gjenden edhe shumë monumente natyrore e njerëzore si: Guri i Qytetit dhe Bredhi i Hotovës, Gryka e Këlcyrës dhe Ujët e Zi, ujrat kuruese të Bënjës dhe Kanionet e Langaricës, Shpatet e thyera të malit të Dhëmbelit dhe Vrima e Cilikojkave.

Shumë turistë e gjejnë veten në paqe me natyrën, sapo shkojnë te Ujët e Zi. Ky vend përshkruhet nga ngjyra të kristalta, ku pasqyrimi I tyre në ujë të bën të shkosh më thellë. Përtej kohës, përtej historisë, deri te legjendat me sirena.

Në Përmet, jo vetëm bukuria, por edhe kurimi gjendet aty. Atëherë, kur nuk të jep shpresë asnjë nga mjekësia, shkoni te ujërat kuruese të Bënjës.

Një oaz i vërtetë qetësie dhe një burim I pashtershëm mbetet Përmeti.

Përgatiti: Albina Roshi

Ju mund te pelqeni dhe