Home Lajme nga Vendi Rritja e rasteve më Covid-19/ Manastirliu: Vaksinimi i hapur edhe gjatë muajit shtator

Rritja e rasteve më Covid-19/ Manastirliu: Vaksinimi i hapur edhe gjatë muajit shtator

nga Parler Albania

Muaji shtator do të jetë muaj i hapur i vaksinimit masiv për qytetarët mbi 18 vjeç.

Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila i bëri një apel qytetarëve që të vaksinohen për të shmangur përhapjen e infeksionit.

“Shtatori do të jetë muaj i hapur i vaksinimit masiv për qytetarët mbi 18 vjeç. Vaksinohuni për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës së përditshme”, thuhet në njoftimin e Manastirliut.

Ministrja nuk u tregua shumë optimiste për muajt në vijim, teksa u shpreh se vjeshta dhe dimri, me shumë gjasa do të sjellin një valë tjetër të COVID, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat për ta përballuar atë.

“Përpara kemi vjeshtë-dimrin dhe me gjasë do kemi përballjen me një valë të COVID. Në planin tonë të përballjes me Covid, sipas skenarëve të hartuar nga ekspertët tanë, kemi parashikuar të gjitha masat dhe ndërhyrjet, për t’iu përgjigjur me kapacitete të fuqizuara, në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor situatës dinamike të epidemisë së Covid19. Jemi përgatitur të shtojmë stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor. Në Institutin e Shëndetit Publik po rrisim kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike. Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare do të shtohet sërish me 20 autoambulanca të reja, për t’iu përgjigjur edhe më shpejt, edhe më mirë, flukseve potenciale në muajt e ardhshëm”, u shpreh ministrja.

Ditët e fundit varianti i ri “Delta” po përhapet me shpejtësi duke rritur shifrat e infektimeve dhe shtrimin e pacientëve që kërkojnë ndihmë në spital.

Ju mund te pelqeni dhe