Home aktualitet Sa kushton drejtësia?/ Miliarda lekë për SPAKU-n

Sa kushton drejtësia?/ Miliarda lekë për SPAKU-n

nga Parler Albania

Në buxhetin për vitin 2022,  janë parashikuar një miliardë lekë të rinj për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Duke e rritur kështu buxhetin për SPAK, dy herë më shumë se sa një vit më parë, kur u akorduan 500 milionë lekë të reja.

Ky fond do të mbulojë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, në çdo aspekt, si në pagesa apo edhe për blerjen e pajisjeve të domosdoshme.

Më herët drejtoresha e BKH-së Aida Hajnaj në Komisionin e Ligjeve pati kërkuar zë më vete për BKH.

“Kërkoj që BKH-ja të jetë një program buxhetor më vete brenda buxhetit të SPAK-ut, pra të jenë dy programe buxhetore, programi buxhetor për Prokurorinë e Posaçme dhe program tjetër për Byronë e Hetimit, Byroja aktualisht nuk ka asnjë zë në projekt-buxhetin që ju ka ardhur,”  është shprehur drejtoresha e BKH-së, Hajnaj, një vit më parë.

Por kryetarin e komisionit të ligjeve, në vitin 2020,  Ulsi Manja e kundërshtoi duke thënë se SPAK dhe BKH janë një institucion i vetëm.

“Një portë ka SPAK-u, porta e madhe quhet SPAK, pastaj brenda kur hyn atje ka dhoma, është BKH-ja, Prokuroria e Posaçme dhe shërbimi i policisë gjyqësore që funksionon si një entitet,” – tha deputeti Manja.

Ndërsa kreu i SPAK-ut Arben Kraja, po në të njëjtën mbledhje është shprehur se problem mbetet niveli i pagës për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e BKH-së si dhe për pjesën e administratës, të cilat në dispozitat ligjore janë të pa-përcaktuara.

“Në dispozitat ligjore të miratuara nga Kuvendi ka problematikë me administratën që punon pranë BKH-së, sepse ligji parashikon vetëm faktin që thuhet se BKH do ketë një administratë por nuk parashikon në asnjë pjesë të tij se çfarë statusi do të ketë administrata, kush do të punojë aty dhe çfarë kategorizimi të pagës do të ketë,” – ka thënë Kraja.

Në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” thuhet se BKH përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës.

Ju mund te pelqeni dhe