Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka mbërritur në Rinas kontigjenti i parë i shtetasve afganë, të cilët pritet të strehohen në vendin tonë.
Siç shihet dhe nga fotot e LSA-së, burra, gra, fëmijë që flenë dhe të moshuar me karrocë zbresin nga avioni dhe ecin në radhë drejt çadrave për akomodimin fillestar në aeroport, për të shkuar më pas drejt vendstrehimeve në hotelet në Durrës.
Ishte ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ajo e cila së bashku me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim pritën personalisht 121 shtetasit e parë afganë.
Mëngjesin e sotëm ata u strehuan në hotelet “Prestige” dhe “Blevedere” në qytetin e Durrësit, ku do të monitorohen 24 orë nga Policia e Shetit dhe firma private sigurimi.
Është vendosur staf mjekësor në dispozicion të tyre dhe ambulanca që do të qëndrojnë në zonë gjatë gjithë kohës.
Sakaq, brenda secilës godinë do të akomodohet edhe nga një përkthyes.
Mendohet që në strukturat hoteliere do të strehohen “elita”, ndërsa në konvikte pjesa tjetër nga 4000 afganët që pritet të strehojë Shqipëria.









