Një fabrikë e përpunimit të skrapit mes zonës së Babrrusë e Paskuqanit pjesë administrative e Kamzës, është përfshirë nga flakët, por fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Fax Neës mëson se fabrika është në pronësi të Flamur Lahit, i afërm i ish-kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziut, ndërsa dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.
Në kohën kur ka rënë zjarri disa punonjës ishin brenda fabrikës, të cilët janë evakuar duke lajmëruar edhe shërbimet e emergjencave. Këto të fundit kanë mbërritur nga Kamza ndërsa iu kanë ardhur në ndihmë edhe nga drejtoria e zjarrfikëses së Tiranës ku në vendngjarue ka qenë edhe drejtori Shkëlqim Goxhaj.
Janë dashur rreth 3 orë për neutralizimin e flakëve të zjarrit pasi përhapja e tyre ka qenë masive. Një punonjës i zjarrfikëses së Kamzës është dërguar me ambulancë në spital pasi ka pësuar momente asfiksie gjatë përballjes me flakët, por që fatmirësisht gjendja e tij është e mirë pas ndihmës shëndetësore që ka marrë.
Burime bëjnë me dije se në fabrikë ndodheshin makina jashtë funksionit, goma, materiale plastike etj, çfarë ka ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Grupi i hetimit po merret me mbledhjen e provave dhe dëshmive për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat.
Pronarët e kësaj pike të skrapit nuk kanë dashur që të flasin për mediat, ndërsa jashtë kamerave shprehen se dëmi që ka pësuar biznesi i tyre në aspektin ekonomik është shumë i madh.
“Se po merremi me rikuperimin e dëmeve që janë kolosale. Zjarri ka ardhur nga jashtë nga pjesa e lumit. Shyqyr zotit që nuk kishim dëme në njerëz”
+