Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit vijon të jetë ende aktive. Flakët kanë përparuar ndjeshëm pasditen e sotme duke u kthyer dhe në një rrezik potencial dhe për përdoruesit e rrugës.
Në një lidhje telefonike nga terreni për FaxNews, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, bëri me dije se situata është e vështirë, por zjarrfikëset në terren po mundohen të bëjnë një bllokadë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe me mbërritjen e Forcave të Armatosura dhe ndihmat e nisura prej Kosovës, Shkodrës dhe lezhës të bëhet më pas shuarja e flakëve.
“Situata është e vështirë por jemi organizuar mirë me shumë zjarrfikëse. Po presim gjithashtu mbërritjen e Forcave të Armatosura dhe ndihmat që pritet të vijnë nga Kosova.
Është situata shumë e vështirë pasi zjarri është shumë afër tunelit, por ne kemi bërë një bllokadë me rreth 6 zjarrfikëse për të ndaluar përhapjen e flakëve dhe për të bërë më pas shuarjen e tyre.
Kjo situatë ka rreth katër pesë ditë, por tashmë zjarri është afruar shumë pranë tuneli të Kalimashit.
Helikopteri bëri punën e vet na ndihmoi deri diku, por tani jemi në këtë situatë që jemi dhe jemi mobilizuar për ta ndaluar përhapjen e zjarrit, për tu mobilizuar më pas gjatë mëngjesit”, theksoi Gjici.